Në mars të vitit 1980, Prokuroria e Rrethit Pukë raportoi një skandal të rëndë në repartin ushtarak nr. 5636. Shkeljet e rregullave të shërbimit të rojes, neglizhenca sistematike dhe mungesa e kontrollit nga komandantët zbuluan një realitet alarmant: objektet ushtarake ishin lënë të pambrojtura, ndërsa rojet flinin në grup në vendqëndrimin e trup-rojes. Ky raport i klasifikuar si “Sekret” iu dërgua edhe Zëvendësministrit të Mbrojtjes Popullore, Veli Llakaj.
21 marsi 1980: një natë pa roje në Pukë
Ngjarja kulminante ndodhi në orën 3:30 të mëngjesit, kur gjatë kontrollit të papritur, u konstatua se:
“Të gjitha rojet në shërbim në vend-rojet 1, 2, 3 dhe 4 ndodheshin në gjumë në lokalin e trup-rojes, pasi ishin larguar në mënyrë të organizuar nga objektet nën mbikëqyrje.”
Veç kësaj, personi që mbante detyrën e komandantit të postbllokut, Bilal Murati, jo vetëm që nuk pengoi largimin, por pajtohet me veprimin dhe njofton rojen e fundit që të bashkohet me ta në trup-roje. Kjo, sipas Prokurorisë, tregon për “koordinim të rojeve për t’u larguar njëherësh nga detyra – në shkelje flagrante të saj”.
Një situatë e përsëritur, jo e rastësishme
Ngjarja e 21 marsit nuk ishte e vetmja. Raporti arkivor përmbledh:
- 19 shkelje gjatë janarit dhe shkurtit 1980:
- 7 raste zënie gjumi në vendroje
- 15 raste largim nga shërbimi
- 5 raste të moszbatimit të rregullores për ruajtjen e objektit
- Në mars u regjistruan edhe 5 raste të tjera gjumi në shërbim, përveç rastit të përbashkët të largimit nga të gjitha vendrojet.
Fjalë për fjalë nga raporti i Prokurorisë:
“Personeli i shërbimit nuk qëndron në pozita të shëndosha, organizimi i shërbimit është me të meta të theksuara… është formuar psikoza antisociale se nuk ka kontroll, nuk ndjekin shkeljet, etj.”
“Rojet Ndue Daka, Nikoll Nikaç, Gëzim Vulaqi dhe Tosum Lome rezultojnë përsëritës të shkeljeve – edhe në 5-6 raste më parë.”
“Personeli i shërbimit pothuajse nuk ka asnjë pa shkelje të kryer në vendroje.”
Pse ndodhte kjo? Kursantët në komandë, oficerët në gjumë
Në vend që komandant i trup-rojes të ishte një oficer i përgatitur, siç parashikonte neni 36 i Rregullores së Jetesës së Brendshme të Ushtrisë, për çdo 24 orë emërohej një kursant i Shkollës së Instruksionit. Këta kursantë shpesh:
- Nuk ndjenin përgjegjësi reale,
- Neglizonin detyrën,
- Lejonin krijimin e kulturës së mosndëshkimit.
Edhe përgjegjësi i rojes, në vend që të organizonte kontrollin gjatë orëve të natës, kishte rënë në gjumë, sipas dokumentit zyrtar.
Propozimet e Prokurorisë:
- Të rishikohet përbërja e trup-rojes, duke larguar ushtarët e padisiplinuar.
- Të procedohen penalisht personat më të çrregullt.
- Të caktohen në komandë oficerë ose nënoficerë, jo më kursantë.
- Të forcohet varësia e trup-rojes nga një shkollë ose repart tjetër për më shumë kontroll.
Një pasqyrë reale e gjendjes në garnizonet e Shqipërisë komuniste
Kjo ngjarje, e dokumentuar në një raport sekret, tregon jo vetëm mungesën e disiplinës, por edhe dështimin e zinxhirit komandues në një prej strukturave më delikate të mbrojtjes: siguria fizike e objekteve ushtarake.
Në fund, raporti thotë qartë:
“Lenia pa ruajtje e objekteve me rëndësi të veçantë është një ngjarje që duhet të ngrejë në këmbë cilindo në komandë.”