Tiranë, 6 korrik 1985 – Vetëm disa muaj pas vdekjes së Enver Hoxhës, në një nga mbledhjet më të tensionuara të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, u zhvillua një debat i ashpër rreth krizës në sektorin e blegtorisë dhe dështimeve të planit për prodhimin e mishit.
Mbledhjen e drejtonte Ramiz Alia, dhe morën pjesë figura të larta si Adil Çarçani, Lenka Çuko, Themije Thomai, Manush Myftiu, Hekuran Isai, Pali Miska, Foto Çami, Muho Asllani, Simon Stefani, Besnik Bekteshi, Vangjel Çërrava dhe të tjerë.
Në qendër të kritikave ishte Mark Noga, drejtor në Ministrinë e Bujqësisë për sektorin e blegtorisë.
Kriza e mishit dhe blegtorisë: “S’mund ta bëjë Drejtoria e Blegtorisë këtë punë!”
Që në hyrje të mbledhjes, Ramiz Alia vendosi theksin tek situata e papranueshme në sektorin e blegtorisë dhe shtroi pyetje direkte ndaj Mark Nogës, drejtor në Ministrinë e Bujqësisë. U diskutua për mungesën e plehrave kimike, mungesën e silazhit, si dhe shpërndarja e pabarabartë e specialistëve në rrethe. Ramiz Alia ngriti me ironi faktin që në disa rrethe kishte 10 agronomë dhe vetëm një zooteknik:
“Kjo nuk është e drejtë. Për këtë e kanë fajin ministria dhe komitetet ekzekutive të rretheve.”
Themije Thomai sqaroi se për problemet e blegtorisë duhej të përgjigjeshin tri drejtoritë: ajo e NB-ve, Drejtoria e Kooperativave Bujqësore dhe Drejtoria e Blegtorisë. Por Ramiz Alia kundërreagoi:
“Atherë pse na sollët këtu vetëm drejtorin e Blegtorisë?”
Drejtori i NB-ve kishte munguar në mbledhje dhe kjo krijoi pakënaqësi. Pali Miska sqaroi se sipas vendimit të një mbledhjeje të mëparshme, përgjegjësia i takonte Drejtorisë së Kooperativave.
Struktura e dështuar organizative dhe debati mbi drejtimin e sektorit
Manush Myftiu, me përvojën e tij në sektorin bujqësor, kritikoi organizimin ekzistues dhe tha që ideja e ndarjes së detyrave mes drejtorive kishte krijuar konfuzion të madh. U fol gjithashtu për mungesën e drejtimit teknik të sektorit, për specializimin e dobët të kuadrit, dhe për mungesën e kontrollit mbi zbatimin e planeve.
“S’ka si ta pranojmë!” – deklaroi Ramiz Alia, duke hedhur poshtë modelin e ndarjes së kompetencave.
Kur toka e kripur prodhon krizë politike: Debati mbi kompleksin e Hoxharës
Një nga momentet më të forta ishte kur Ramiz Alia pyeti:
“Pse e ngritë kompleksin e gjedhit në Hoxharë, kur toka është e kripur? Kush e miratoi?”
Mark Noga pranoi se vendimi kishte qenë i gabuar, por shtoi se kishte munguar ujitja dhe se kjo e kishte rrëzuar pjellorinë e tokës.
“130 milionë lekë investime dhe asgjë nuk prodhohet!” – u shpreh me indinjatë Alia.
Manush Myftiu u hodh në sulm:
“Atëherë pse u ndërtojnë në vende të tilla kur dihej që ishin toka të dobëta?”
Ramiz Alia ironizon e qorton ministrat: “Fillojeni kritikën nga ministrat!”
Duke evidentuar heshtjen e Ministrisë së Bujqësisë për problemet, Ramiz Alia tha:
“Fillojeni më mirë kritikën nga ministria, e pastaj nga zv.ministrat. Themija së na dëgjon! (qeshje)”
Pjesëmarrësit nuk e mohuan që kishte struktura të dyzuara, mungesë bashkëpunimi dhe mungesë qartësimi të përshkrimeve të punës.
Dështimi me misrin dhe foragjeret – mungesa e silazhit dhe nitratit
Abdyl Backa denoncoi faktin se vetëm 5% e planit të plehrave ishte zbatuar në tokat e dedikuara për blegtori. Për misrin e blegtorisë ishte harxhuar shumë pak nitrate, ndryshe nga misri për konsum. Simon Stefani ngriti pyetje mbi planifikimin e plehrave dhe sasia e ulët e ushqimit për bagëti.
Mark Noga pranoi se kishte neglizhencë:
“Dështimi është i lidhur me faktin që niveli i prodhimit është shumë i ulët dhe bëhet favorizimi i kulturave të tjera.”
Konkluzionet: Paaftësia dhe fajësimi zinxhir
Në fund, dështimi i sektorit të blegtorisë nuk iu atribuua vetëm një drejtori, por të gjithë sistemit. Ministria e Bujqësisë, drejtuesit lokalë, specialistët teknikë dhe zbatimi i planeve – të gjithë u bënë objekt kritike.
“Praktika do të tregojë se cila është më e mirë” – tha Ramiz Alia, por realiteti tregoi se sistemi ishte në kolaps.
Ky dokument ofron një dritare të rrallë për të kuptuar sesi funksiononte planifikimi socialist në vitet e fundit të diktaturës shqiptare: me debat, pa përgjegjësi të qartë dhe me kosto të larta për popullsinë.