Home Publikime Si u festua 25-vjetori i Pavarësisë në vitin 1937 – urdhër për...

Si u festua 25-vjetori i Pavarësisë në vitin 1937 – urdhër për lutje fetare, flamuj dhe fjalime në gjithë Shqipërinë

0

Në nëntor të vitit 1937, Mbretëria Shqiptare, përmes një Komisioni të Posaçëm të ngritur nga qeveria, organizoi një seri veprimtarish madhore për 25-vjetorin e Pavarësisë. Dokumenti që po botojmë sot është një udhëzim i detajuar për prefekturat, komunitetet fetare, bashkitë, shkollat dhe ushtrinë, për mënyrën si duhej të zhvilloheshin ceremonitë nga 26 deri më 28 nëntor.

Komisioni njofton se ka dhënë udhëzime në të gjithë vendin, sipas këtyre pikave:

1. Mbledhje përkujtimore me fjalime

Shoqatat kulturore në qytete, si “Simsa” dhe “Alpa”, urdhërohen të organizojnë mbledhje ku të mbahet një fjalim përkujtimor për rëndësinë e shpalljes së Pavarësisë. Nëse nuk kanë një folës të përshtatshëm, duhet të kontaktojnë prefekturat.

2. Ora mësimi për pavarësinë në të gjitha shkollat

Ministria e Arsimit urdhërohet t’u japë mësuesve gjysmë dite më 26 nëntor për të zhvilluar një mësim special mbi rëndësinë kombëtare dhe historike të datës 28 nëntor.

3. Mbledhje solemne në odat tregtare

Në qytetet e mëdha (Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Tiranë, Korçë, Berat, Elbasan, Durrës, Sarandë), Komisioni urdhëron që të zhvillohen mbledhje përkujtimore në odat tregtare, ku kryetarët do flasin për rëndësinë e 28 nëntorit dhe një folës i përgatitur do mbajë fjalim të zgjeruar.

4. Lutje patriotike në të gjitha besimet

  • Komuniteti Mysliman: Urdhërohet që më 26 nëntor (e premte) të mbahet lutje fetare-patriotike në të gjitha xhamitë e vendit.
  • Kisha Ortodokse Autoqefale: Të gjitha kishat të organizojnë lutje të posaçme më 28 nëntor, me ligjëratë përkujtimore për rëndësinë e ditës.
  • Kisha Katolike: Është autorizuar që festimet fetare të bëhen më 21 nëntor në të gjitha kishat e qyteteve dhe fshatrave.

5. Ngritja e flamurit në të gjithë Shqipërinë

Një nga momentet kulmore do ishte ngritja e flamurit më 28 nëntor, ora 17:26, njëkohësisht në të gjitha qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë.
Flamuri do të ngrihej nga një person që kishte lindur në vitin 1912, për të simbolizuar 25 vjetorin e jetës së Shqipërisë së pavarur.

6. Festime ushtarake në kazermat e ushtrisë

Komanda e Mbrojtjes Kombëtare urdhërohet që në të gjitha kazermat të organizohen ceremoni dhe përkujtim ushtarak me pjesëmarrjen e oficerëve dhe trupave.

Ky dokument tregon një organizim të jashtëzakonshëm shtetëror në një Shqipëri ende të re, që përpiqej të forconte identitetin kombëtar përmes riteve, simbolikës dhe përfshirjes së çdo institucioni shtetëror dhe fetar.
Shënimi i orës 17:26 për ngritjen e flamurit tregon një kujdes për detaje simbolike – që Shqipëria 25-vjeçare të kremtonte me solemnitet të programuar në çdo cep të vendit.

Abonohu për dokumentet më të rralla historike.

Çdo javë në emailin tënd: dokumente, rrëfime dhe arkiva sekrete të historisë shqiptare

We don’t spam! Read our privacy policy for more info.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here