Tabllo Sinoptike

Shok

Nga hetimet pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, më 18 dhjetor 1981 dhe nga dokumentet që ka në dorë Partia, rezulton se Mehmet Shehu ka qenë rekrutuar agjent i amerikanëve që kur ndiqte Shkollën e Fulcit në Tiranë. Me urdhër të tij, Mehmet Shehu shkoi për studime në shkollën ushtarake në Itali, po me urdhër të agjenturës amerikane ai u dërgua dhe në Spanjë.

Pas thyerjes së Luftës Nacionalçlirimtare në Spanjë, Mehmet Shehu shkoi në një kamp refugjatësh në Francë, ku ndenji tre vjet, në një kohë kur shumë shokë të tij u arratisën. Në kamp ai u rekrutua dhe agjent i Inteligjent Servis-it anglez. Prej andej e tërhoqën një oficer i Gestapos gjermane dhe një i SIM-it italian kaloi në Itali ku u mbajt dy muaj, pastaj iu dorëzua në Durrës spiunit famëkeq Man Kukaleshit, i cili pas 20 ditësh e liroi dhe Mehmet Shehu shkoi në Mallakastër dhe u lidh me organizatën e Partisë sonë.

Gjatë luftës Nacionalçlirimtare, Mehmet Shehu dhe gruaja e tij, Fiqret Sanxhaktari u rekrutuan si agjentë të jugosllavëve nga Dushan Mugosha (viti 1943), ai me pseudonimin agjenturor MISH (Mehmet Ismail Shehu) ajo me pseudonimin FISARI (Fiqret Sanxhaktari).

Nga vetë dokumentet e shkruara nga Mehmet Shehu vërtetohet se ai ishte pjesëtar i komplotit të Beratit, bashkë me Koçi Xoxen e Nako Spiron…

Mehmet Shehu donte të harroheshin gabimet që kishte bërë dhe bënte duke shkelur vijën e Partisë e duke mos zbatuar urdhrat e Shtabit të Përgjithshëm, për të cilat ishte kritikuar disa herë, e tani kuptohet qartë se nuk i kishte bërë pa qëllim. Kështu ai përdori terrorin nëpër fshatrat ku kalonte Brigada e Parë, për të diskredituar Partinë e forcat partizane, ngriti në legjendë “inkursionin” e dy batalioneve të Brigadës së Parë për shpëtimin e Shtabit të Përgjithshëm nga rrethimi gjermano-ballist, të cilin jo vetëm s‘e shpëtoi ai, por Mehmet Shehu humbi me qëllim dy javë, në vend të dy ditëve, duke futur forcat e brigadës në disa shtigje të rrezikshme dhe duke shkaktuar kështu që shumë trima të kësaj brigade të binin heroikisht. Mehmet Shehu kundërshtoi urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm për kalimin e Divizionit të Parë në veri të Shkumbinit, sepse ky urdhër ishte në kundërshtim me strategjinë e anglo-amerikanëve, që donin ta mbanin Shqipërinë e Veriut nën ndikimin e vet, me forcat e agjentëve të tyre, Abaz Kupit, Muharrem Bajraktarit e bajraktarëve të tjerë.

Mehmet Shehu erdhi në Shqipëri e luftoi jo si komunist e partizan, por si mercenar dhe i dërguar nga anglo-amerikanët, për t‘u shërbyer planeve të tyre për të ardhmen në Shqipëri. Pas vetëvrasjes, në kasafortën e tij u gjet një program i shkruar me dorën e tij, që në kohën kur erdhi në Shqipëri, që s‘ishte gjë tjetër përveçse një program demokratiko-borgjez, ku nuk flitet fare për parti komuniste e socializëm, por për shumë parti, ashtu siç u munduan të bënin misionet anglo-amerikane dhe grupet reaksionare, që i mbështetën këto menjëherë pas çlirimit të vendit tonë.

Menjëherë pas çlirimit, Mehmet Shehu, qoftë për të kënaqur ambiciet e tij karrieriste, qoftë me urdhër të Shërbimit Sekret Amerikan, u vu edhe në shërbim të shefit të Misionit Sovjetik në Shqipëri, agjentit të kundërzbulimit, Majorit Ivanov, duke i bërë raporte të fshehta me shkrim kundër udhëheqjes e vijës së Partisë sonë Komuniste, ku i kërkonte të ndërhyhej nga sovjetikët ose nga Tito, të cilin e cilëson figurë të madhe, që të ndryshohej gjendja në Shqipëri, se me Enver Hoxhën nuk ecet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *