Home Histori Letra e Kristo Themelkos për Gogo Nushin – Reaksioni në Vlorë dhe...

Letra e Kristo Themelkos për Gogo Nushin – Reaksioni në Vlorë dhe tradhtia në Pezë

0

Në një korrespondencë të gjatë dhe e ngarkuar me detaje të mprehta politike dhe organizative, Kristo Themelko i shkruan shokut Gogo Nushi për gjendjen në Vlorë dhe zonat përreth në fund të vitit 1943. Në këtë letër dallohet shqetësimi për mungesën e kuadrove të përgatitur, reagimi i elementëve lokalë ndaj ardhjes së misionit ushtarak anglez në Pezë, si dhe tensioni në rritje për fillimin e luftës kundër Ballit Kombëtar.

Letra zbardh gjithashtu një nga momentet më delikate të operacioneve në Pezë, ku forcat partizane përballen me një rezistencë të organizuar të fortifikuar të Ballit Kombëtar, e mbështetur indirekt nga qëndrimet hezituese të anglezëve

Kristo Themelko nis letrën me një përshkrim të përgjithshëm:

“Ju kam dërgue një letër para disa ditësh dhe ju raportova mbi gjendjen këtu. Kam shpjeguar gjendjen e Partisë, dobësitë, lëshimet, gabimet dhe sukseset që ka patur.”

Pastaj kalon në detaje të organizimit ushtarak:

“Janë formuar 6 çeta prej 40 deri në 70 partizanë secila. Kemi caktuar komandantë, zëvendëskomandantë dhe komisarë politikë. Por nuk kemi arritur ende të caktomë gjithkund nënkomisarë – mungojnë kuadrot.”

Çetat po organizoheshin në dy batalione, me qëllim që secili të kishte një byro partie dhe të ruhej një lidhje e drejtpërdrejtë me qarkun dhe shtabin.

“Kemi filluar të organizojmë edhe rininë. Do të zgjidhen dy përgjegjës për çdo batalion. Problemi qëndron se shokët janë të mirë, por pa përvojë. Nuk kanë iniciativë.”

Në pjesën tjetër, Kristo flet për problemet konkrete që e shqetësojnë. Një rast i veçantë është ai i shokut Pandi, i cili, sipas tij, “ka filluar të mos e mbajë mëndjen”, për shkak të përfshirjes në shumë detyra pa qenë i përgatitur. Ai përmend gjithashtu rastin e një çifti që qëndronte shumë pranë, çka kishte rënë në sy të partizanëve dhe po shkaktonte pakënaqësi.

Pastaj vjen lajmi:

“Para disa ditësh ka qenë këtu Zenel Hekali. U soll si një intelektual i ndjeshëm. Mori 30 napolona nga shokët dhe u nis për Mallakastër bashkë me disa të burgosur që kishin dalë. Paratë duhet t’ia kërkoni.”

Ndërkohë, vijojnë nevojat:

  • Kërkohen këpucë (opinga të forta),
  • Pantallona të rregulluara (jo si herën e parë – “të grisura”),
  • Sapun, këmisha, brekë, rripa fishekësh për armë italiane dhe greke,
  • Dinamit dhe vegla për çarje (në ndihmë të një inxhinieri për mina),
  • 100 shenja partizane,
  • Drasa për ndërtimin e barakave (me përmasa dhe lloj druri të specifikuar).

Një nga rastet më të rëndësishme që përmend është ai i një rreshteri të xhandarmërisë që ishte arratisur me një shumë parash dhe ua kishte dorëzuar partizanëve si ndihmë për luftën.

Ai e përmend këtë me ironi:

“Tani flasin që i ka marrë për vete. Hidhini në komunikatë – është shoku prej Dardhe.”

Për çështjen e luftës në Pezë, Themelko shkruan me ton të ashpër.

“Bëmë një sulm në Pezë të Vogël. Atyre nuk mundëm t’ua merrnim të gjitha fortifikatat – ishin të rrethuar me tela, kishin mbi pesë mitralozë dhe armë automatike. Lufta zgjati pesë orë. Ne morëm vetëm një fortinë dhe një mitraloz të rëndë – markë angleze.”

Partizanët përdorën menjëherë mitralozin e marrë për të qëlluar kundër fortifikimeve. Një partizan u plagos lehtë, ndërsa pala tjetër pati, sipas tyre, humbje të mëdha.

Për reagimin ndaj misionit anglez në Pezë dhe manovrat diplomatike me Ballin Kombëtar, ai njofton:

“Në një deklaratë që anglezët kërkonin ta shpallnin në BBC thuhej: ‘Balli Kombëtar është një organizatë patriotike që ka luftuar kundër fashizmit dhe tash është e vendosur të luftojë gjermanët’. Ne refuzuam prerë.”

Dhe shton:

“Nëse kjo del në Londër, do ta demaskojmë menjëherë.”

Në fund, përmend ekzekutimin e katër spiunëve të infiltruar në çetat partizane:

“I kemi pushkatuar të katërtit përpara çetave. Bëri përshtypje të mirë.”


Referenca arkivore:

Fondi 14APL, Dosja 24

Abonohu për dokumentet më të rralla historike.

Çdo javë në emailin tënd: dokumente, rrëfime dhe arkiva sekrete të historisë shqiptare

We don’t spam! Read our privacy policy for more info.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here