Porositë e Enver Hoxhës për artikullin e kongresit jugosllav
Më 1 korrik 1982, Enver Hoxha i dërgoi Ramiz Alisë udhëzime të hollësishme për përgatitjen e një artikulli rreth Kongresit të 12-të të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, mbajtur në Beograd. Ai kërkonte që artikulli të pasqyronte dështimet e sistemit vetadministrues të Titos dhe krizën e thellë politike e ekonomike që kishte përfshirë federatën jugosllave
Në tekstin e daktilografuar që shoqëronte shënimin, Hoxha theksonte se “nga kongresi nuk doli asgjë e re”, përkundrazi, “u afirmua falimentimi politik i vetadministrimit titist dhe disfatat e revizionistëve jugosllavë në politikën e jashtme”
Nga iluzionet e “vetadministrimit” te kriza e thellë kombëtare
Kongresi i 12-të, sipas analizës që përgatiti Byroja Politike shqiptare për botim, nuk solli as reforma, as ndryshime reale. Ai “nuk zgjidhi asnjë problem dhe nuk hapi asnjë perspektivë” – një mbledhje që përfundoi me “kompromise për të mos ndryshuar asgjë”F.10AP-1981-42.
Artikulli theksonte se sistemi vetadministrues i Titos ishte në thelb kapitalist, i “lyer me bojë të shplarë marksiste”, dhe se “Jugosllavia vuante pasojat e politikës së hapjes ndaj kapitalit të huaj”. Në raport me popullsinë, borxhi i jashtëm prej 20 miliardë dollarësh ishte më i madh se ai i Polonisë, ndërsa inflacioni konsiderohej “nga më të lartët në botë”
Udhëheqësit jugosllavë përshkruheshin si “teknokratë të egër që shfrytëzonin punëtorët”, ndërsa vendi përballej me papunësi masive, rritje çmimesh dhe varfëri. Sipas artikullit, “vetadministrimi nuk i dha pushtet punëtorëve, por burokratëve dhe menaxherëve që u kthyen në një klasë më vete”.
Krizë ekonomike, çarje federative dhe rikthim i shovinizmit serb
Në analizën politike, vërehet një kritikë e ashpër ndaj ndarjeve rajonale dhe konflikteve midis republikave: secila ruante valutën e vet, tregjet ishin të mbyllura, dhe “në vend të dinarit përdorej dollari amerikan”.
Në këtë kuadër, Kongresi i 12-të u shndërrua në një arenë polemikash midis federalistëve dhe unitaristëve serbë. “Klani serb kërkon sundim absolut në gjithë Jugosllavinë”, thuhej në dokument, duke paralajmëruar për përpjekjet për ndryshimin e Kushtetutës me qëllim heqjen e autonomisë së Kosovës dhe Vojvodinës
Çështja e Kosovës – pika më e nxehtë
Në pjesën kushtuar Kosovës, udhëheqja shqiptare këshillonte që tema të trajtohej me kujdes: “të mos zgjatet shumë në artikull”, por të ritheksohej se Shqipëria nuk ka ndërhyrë në punët e brendshme të Jugosllavisë, ndërsa “e kundërta ka ndodhur që në Luftën Nacionalçlirimtare
Megjithatë, artikulli zbulon se delegatët shqiptarë kishin folur hapur për diskriminimin ekonomik: “Në Kosovë ndër 10 shqiptarë punon vetëm një, ndërsa për serbët raporti është 1 në 4”. Ky fakt përdoret për të treguar “thellimin e shtypjes kombëtare dhe mohimin e të drejtave demokratike të shqiptarëve në Jugosllavi”.
Dështimi ideologjik dhe prishja e unitetit të partisë
Në raportin përfundimtar, Lidhja e Komunistëve përshkruhet si “e shkëputur nga masat, burokratike dhe e copëzuar”. Vetadministrimi kishte “degjeneruar partinë, ndarë shoqërinë dhe prishur unitetin ideologjik”. Delegatët e kongresit, sipas përshkrimit, “u morën me debate abstrakte, pa ide, pa strategji, dhe pa besim në vetë sistemin që predikonin.
Në mbyllje, artikulli theksonte:
“Sa më shumë acarohet kriza ekonomike e nacionale, aq më shumë acarohet edhe gjendja brenda Lidhjes së Komunistëve. Rrymat ideologjike të kundërta veprojnë brenda saj, nga kreu deri në bazë.”
Politika e jashtme jugosllave – ekuilibër i pamundur
Në pjesën finale, udhëheqja shqiptare e përshkruan politikën e jashtme jugosllave si “politikë pelivani në telin e hollë të dy blloqeve”. Jugosllavia përpiqej “t’u shërbente të gjithëve, por të hiqej si e paangazhuar”.
Në fakt, sipas artikullit, Beogradi “merrte miliarda kredi nga SHBA dhe armë nga Bashkimi Sovjetik”. Kjo e bënte politikën e paangazhimit “një farsë diplomatike që mashtronte opinionin e brendshëm dhe mbulonte dështimin e politikës së jashtme”
Përfundimi: Një sistem në kolaps
Kongresi i 12-të i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, sipas përfundimit të udhëheqjes shqiptare, “nuk solli asgjë të re, përveç konfirmimit të krizës së thellë të sistemit titist”.
“Vetaadministrimi,” shkruhej në mbyllje, “nuk çon në socializëm, por në shkatërrimin e shoqërisë; ai është një formë borgjeze e zhvillimit kapitalist të lyer me bojë socialiste”.
EnverHoxha #Jugosllavia #Titizmi #Kosova #Histori #Arkiva #PPSH #RamizAlia #Kongresi12





















