Në fillim të vitit 1940, pak muaj para shpërthimit të luftës italo-greke, në zonën e Himarës shpërtheu një incident politik që tronditi autoritetet shqiptare dhe italiane. Dokumentet arkivore të Prefekturës së Vlorës tregojnë se më 8 janar 1940, në fshatin Dhërmi, gjatë ceremonisë për ditëlindjen e Mbretëreshës së Italisë, nxënësit e shkollës minoritare greke kënduan jo vetëm himnet italiane të detyrueshme, por edhe himne kombëtare greke. Ky akt u interpretua si një provokim dhe si dëshmi e propagandës grekofile në zonë.

Prefekti i Vlorës, Faik Quku, në raportin e tij dërguar Ministrisë së Brendshme, përshkruante me tone alarmante se:
“Mësuesi i shkollës së Shtetit, Sekretari politik Vasil Foti, që asht prej Dhërmiut dhe e zotnon gjuhën greke, siguron plotësisht se marshi në fjalë asht këndue, ashtu edhe Kryetari i Komunës dhe Komandanti i Stacionit që nuk dinë greqisht, konfirmojnë të kenë ndijue melodinë e tij që të kujton ndonji fjalë të marshit.”
Ky incident, sipas autoriteteve, tregonte se shkollat minoritare greke në Himarë ishin shndërruar në vatra propagande të huaj dhe në rrezik për stabilitetin e shtetit shqiptar. Prefektura paralajmëronte se:
“Nuk mund të durohet që në shtëpinë t’onë të Shejtë Shqiptare aktiviteti e propaganda e Grekofilave të ket marrë në një gradë, sa fëmija e shkollave në një ditë Kombëtare, nepër rruga, të guzojnë se këndue këngë patriotike greke.”
Në dokumente përmendet qartë se Himara, edhe pse historikisht shqiptare, ishte pre e ndikimeve të Kishës greke dhe të qarqeve pro-helene. Në raportet theksohet se shumë familje, nga frika apo nga interesat, i dërgonin fëmijët në shkollat greke, duke u bërë kështu pjesë e propagandës. Autoritetet e shihnin këtë si një rrezik kombëtar, të barabartë me një kërcënim strategjik kundër Shqipërisë dhe Italisë.
Raportet e Prefekturës janë të qarta në kërkesën për mbylljen e shkollave minoritare greke. Në një shkresë zyrtare thuhet:
“Duhet të keqes t’i bahet ballë me kohë, para se të bahet shumë e alarmante. Duhet të mbyllen shkollat minoritare dhe të mbahen vetëm ato të Shtetit.”
Në vijim, përgjegjës kryesor për incidentin u cilësua drejtori i shkollës greke të Dhërmiut, Pavllo Vreto, i cili u arrestua nga Karabinierët italianë dhe u propozua për internim. Ky ishte një sinjal i qartë se autoritetet nuk do të toleronin më asnjë shfaqje të hapur të grekofilizmit në Himarë.
Në dosje gjenden edhe tekstet e marsh-eve greke të përkthyera në shqip, të cilat përdoreshin si prova e “fajësisë”. Një prej tyre thoshte:
“E zezë asht nata në male / në shkëmbinj bie borë / në të egërta në errësirë / Greku heq shpatën, heq shpatën.”
Këto fjalë interpretoheshin nga autoritetet si nxitje për veprimtari anti-shqiptare. Për këtë arsye, Prefekti Quku kërkonte jo vetëm mbylljen e shkollave, por edhe largimin e mësuesve, heqjen e bursave për familjet grekofile dhe përkrahjen me çdo mjet të elementëve shqiptarë në Himarë.
Në fund të raportit të gjatë, Prefekti theksonte:
“Populli i pafajshëm duhet ndihmue e mbajtë sa ma mirë, por elementi shqiptar që asht me Shqipninë duhet përkrahë me çdo mjet, me punësime, bursa etj., që kështu këta t’inkurajohen.”
Ky episod i vitit 1940 pasqyron tensionet e forta shqiptaro-greke në prag të Luftës së Dytë Botërore dhe shfaqet si një shembull i mënyrës sesi arsimi dhe kultura u përdorën si armë politike.





















