Në fund të marsit 1949, një zhvillim i pazakontë ndodhi në juglindje të Shqipërisë. Me kërkesë të Nikos Zahariadhisit, drejtuesit të ushtrisë demokratike greke, qeveria shqiptare miratoi në mënyrë sekrete kalimin e një divizioni partizan grek nëpër territorin shqiptar, me qëllim përforcimin e ofensivës kundër trupave monarkofashiste në rajonin e Gramozit. Dokumenti që ruhet në arkivat shqiptare është një raport i detajuar i Ministrisë së Brendshme, ku përshkruhen takimet me Zahariadhisin, diskutimet me sovjetikët dhe mënyra konspirative e organizimit të operacionit.
Më 25 mars 1949, në Tiranë mbërrin urgjentisht Nikos Zahariadhis, i cili kërkon një takim me Mehmet Shehun, Ministër i Brendshëm në atë kohë.
“Operacioni në Gramos do të fillojë së shpejti,” – tha ai.
“Kërkojmë të na lejoni të kalojmë 500 ushtarë dhe 200 artilierë nëpër territorin shqiptar, nga zona e Vicit drejt Furkës, për të goditur nga pas forcat e armikut.”
Zahariadhis siguroi se:
“Trupat do të kalojnë natën, me mjete motorike dhe në mënyrë konspirative, pa qenë të armatosura.”
Mehmet Shehu e përcolli menjëherë kërkesën te Sekretariati i Partisë, i cili, në mungesë të Enver Hoxhës (që ndodhej në Moskë), vendosi të konsultohej me shokët sovjetikë dhe me vetë Enverin përmes një telegrami përmes përfaqësuesit Glaskov.
Por koha po shtyhej, ndërsa trupat greke ishin mbledhur para kufirit shqiptar.
Më 26 mars, Sekretariati mblidhet dhe, pa marrë ende përgjigje nga Moska, vendos unanimisht të lejojë kalimin e trupave.
Kalimi ndodhi natën e 27-28 marsit, në mënyrë të organizuar dhe të heshtur.
“Në 4 orë kaluan 50 kamionë me ushtarë dhe rreth 400 kuaj, të shoqëruar nga 500 ushtarë në këmbë. Vetëm një batalion me 300 vetë dhe kuaj u detyruan të strehohen në pyll gjatë ditës dhe kaluan më vonë.”
Sipas raportit:
“Në vend të 900 ushtarëve të kërkuar, përmes territorit tonë kaluan në të vërtetë rreth 2500–3000 veta dhe 400 kuaj, pra një divizion i tërë.”
Kalimi u krye nga Kapshtica (Bilisht) dhe doli në Qytezë (Ersekë).
Më 1 prill, Mehmet Shehu takoi sërish Zahariadhisin në Vici, për të kërkuar sqarime. Zahariadhis pohon:
“Kaluan vetëm 1000–1500 veta.”
Por informacioni i zbulimit shqiptar nuk përputhej me këtë shifër. Trupat që kaluan, sipas tyre, po luftonin në frontin Konicë–Furkë, siç përputhej me komunikatat e shtabit të ushtrisë demokratike.
Operacioni në Gramos: pasojat
- Faza e parë e ofensivës kishte pasur sukses: një brigadë dhe gjysmë monarkiste ishte shkatërruar.
- Megjithatë, forcat partizane tani përballeshin me përforcime të reja armike të ardhura nga Arta, Metcovo, Kojan, dhe Pendalofos.
- Bilanci njerëzor ishte i rëndë: nga 1 deri më 10 prill, në Shqipëri u futën 645 të plagosur të rëndë grekë.
Më tej dokumenti jep një pasqyrë të plotë të strukturës së ndihmës shqiptare:
- Rreth 8000 refugjatë politikë grekë në territorin shqiptar;
- 2200 ushtarë demokratë aktivë;
- 1200 të plagosur në spitale;
- Radio, shtypshkronjë, transport, depo furnizimesh dhe stacione konspirative në Bilisht, Korçë dhe Durrës;
- Spitale me mjekë polakë dhe hungarezë;
- 6 kanale aktive përgjatë kufirit për furnizim dhe evakuim.
Referenca arkivore:
Viti 1949, Dosja 2