Profesor Petrit Radovicka etiketohej si përfaqësues i Komitetit të Shkencave për mendjemadhësi Shkencore madje edhe me keq duke i akuzuar për një tendecë rehatie!
Prof. Petrit Radovicka lindi në tetor 1920 në Leskovik. Pasi kreu gjimnazin në Tiranë me rezultate të shkëlqyera në vitin 1939 filloi studimet universitare në Institutin Politeknik në Torino (Itali). Në vitin 1945 shkon në Moskë për të ndjekur studimet në Institutin Energjitik dhe në vitin 1950 përfundon studimet me rezultate të shkëlqyera dhe diplomohet Inxhinier Hidroenergjitik duke mbrojtur diplomën me temë “Skema e Shfrytëzimit Energjitik të Lumenjve”. Në vitin 1950 pasi kthehet nga studimet emërohet në detyra të rëndësishme të fushës si inxhinier hidroenergjitik, drejtuesi i parë i Kombinatit Energjitik mbi të cilin u ngrit më pas Sistemi Unik Elektroenegjitik Shqiptar, drejtues i grupit të projektimit të hidrocentralit të Selitës dhe më pas Zv.Ministër i Industrisë (1951), Drejtor i Drejtorisë Qendrore për Elektrocentralet (1952),
Drejtor i Drejtorisë Elektro Mekanike (1953), Drejtor i Drejtorisë së Centraleve Elektrike dhe i Industrisë Mekanike (1954), Nënkryetar i Institutit të Shkencave (1955). Profesor Radovicka në vitin 1957 mer titullin Docent dhe në vitin 1971 mer titullin Profesor. Është shquar gjatë gjithë kohës për kontributin e veçantë në fushën akademike dhe në zhvillimin e arsimit si një ndër pedagogët e parë të Institutit Politeknik dhe më pas në Universitetin e Tiranës, ku ka drejtuar që nga krijimi Katedrën e Centraleve (sot departamenti i Sistemeve Elektrike të Fuqisë) në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike deri në vitin 1990 kur doli në pension, Zëvendës Rektor i Universistetit të Tiranës (1965 – 1968) dhe Rektor i Universitetit të Tiranës (1975 – 1981), Zëvendës Kryetar i Akademisë së Shkencave (1972 – 1980) dhe Kryetar i Komitetit të Shkencës dhe Teknikës (1981- 1985), gjithashtu ka drejtuar gjatë gjithë kohës revistën “Shkencat Natyrore”. Në vitet 50 – 60 hidroenergjitika ishte degë e pashkelur në Shqipëri. Rruga e hidrocentraleve u bë rruga kryesore në punën studimore dhe projektuese të Petrit Radovickës dhe në krye të ekipeve të ndryshme në 1953 – 1963 ka drejtuar ekipin shqiptar në projektimin dhe ndërtimin e Hidrocentraleve të Selitës, Ulzës, Shkopetit, Bistrica 1 dhe 2. Në këto vite Profesori filloi dhe drejtoi një nga studimet më të rëndësishme, atë të “Shfrytëzimit hidroenergjitik të kaskadës së Drinit”, i cili ishte një studim kompleks dhe përfundimtar mbi pasuritë ujore dhe mënyrën e shfrytëzimit të tyre. Skema e shfrytëzimit të lumit Drin shërbeu si bazë e studimit konkret, hartimit të projektit dhe ndërtimit të hidrocentraleve në Vaun e Dejës në Fierzë dhe në Koman. Ka qenë kryeinxhinier i projektimit të tre hidrocentraleve më të mëdhenj të vendit tonë mbi Drin. Me pasionin që kishte për energjitikën dhe i ndërgjegjshëm për të vënë në shërbim aftësitë e tij në këtë fushë, Profesor Petrit Radovicka gjithë jetën ja kushtoi studimeve dhe projektimeve në fushën e ndërtimit të burrimeve të energjisë elektrike dhe sistemit shpërndarës të kësaj energjie. Prof. Petriti ka merita të veçanta edhe për përpjekjet e shumta të bëra në drejtim të njohjes me të rejat e shkencës dhe teknikës botërore në fushën e hidroenergjitikës duke bërë të mundur që në maj 1964 në Kongresin e 8-të të Organizatës Ndërkombëtare të Digave të larta të mbajtur në Edinburg, vendi ynë të bëhet antar i kësaj organizate.
Në këtë kohë krijohet edhe komiteti i Digave të larta të Shqipërisë kryetar i të cilit u zgjodh Prof. Petrit Radovicka. Ka përfaqsuar gjithashtu Shqipërinë në shumë Kongrese Ndërkombëtare si Moskë ku Shqipëria u pranua antare e Qendrës Ndërkombëtare Atomike, Pragë, Edinburg, Stamboll, Meksiko, Paris, Torino dhe Pekin ku Shqipëria në vitin 1956 u pranua në Organizatën Ndërkombëtare të Shkencës. Prof. Petrit Radovicka ka qenë një pjesë aktive në diskutimet për shfrytëzimin e ujrave të përbashkëta me vendet fqinje sidomos për arritjen e marëveshjes së përbashkët me palën Jugosllave nëpërmjet të cilës u mundësua ndërtimi i HC të Fierzës, liqeni i të cilit shkakton përmbytje edhe në territorin Jugosllav në zonën e quajtur Gryka e Morinës. Për punën e tij Prof. Petrit Radovicka është nderuar me tituj nderi dhe çmime të ndryshme. Ka marë çmimin e Republikës së Shkallës së Parë në vitin 1965 për projektimin dhe ndërtimin e HC të Bistricës, në vitin 1974 çmimin e Republikës së Shkalles së Parë për HC të Vaut të Dejës, çmimin Punonjës i Shquar i Shkencës dhe Teknikës në vitin 1977 dhe në vitin 1978 i akordohet titulli Hero i Punës.